“Vaksinimi do nisë me stafet e spitaleve Covid dhe të urgjencave” / Manastirliu: Nis shpërndarja e 36 autoambulancave të reja

“Shërbimi i urgjencës në territor është tashmë një shërbim dinjitoz dhe me standarde bashkëkohore, falë investimit në autoambulancat e reja, të pajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në spitalin rajonal të Durrësit, nga ku ka nisur shpërndarja e 36 autoambulancave të reja, që do të vijojë në të gjithë spitalet e vendit.

“Me flotën e 36 autoambulancave ne kemi vendosur që të rrisim kapacitetet e Tiranës, gjithashtu edhe të spitaleve rajonale dhe bashkiake. Spitali i parë ku shpërndahet flota është spitali i Durrësit, paralelisht do të vijojmë me spitalet e tjera rajonale, nga Kukësi deri në Sarandë, ku me këto autoambulanca, të cilat kanë të njëjtin standard, jo vetëm do të rrisim kapacitetet, por edhe rinovojmë kapacitetet aty ku kemi pasur pika të dobëta”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet rajonale janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19.

Duke folur për vaksinimin anti-COVID, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Ajo çka pritet tani është fillimi i vaksinimit dhe ne e kemi thënë do të fillojmë me ata të cilët janë në vijën e parë të kësaj lufte, me mjekët, me infermierët në spitalet COVID, me punonjësit e urgjencave, të cilët janë në frontin e parë dhe po vijojnë këtë betejë me këtë armik të padukshëm”, tha Manastirliu.

36 autoambulanca të reja, të pajisura me të gjithë pajisjet e ndihmës së shpejtë, investim i qeverisë shqiptare po plotësojnë flotën anticovid në të gjithë territorin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *