Shqipëria rrit tarifat e terminalit ne aeroport për 2021

Tarifat që Shqipëria do të arkëtojë nga të gjithë kompanitë që përdorin aeroportin e Rinasit për vitin 2021 do të jenë më të larta se ato të vitit të kaluar.

Eurocontrol që është edhe organizata që i është besuar faturimi dhe mbledhja e tarifave të terminalit për llogari të Albcontrol publikoi tarifën e re.

Në vitin 2020 kjo tarifë ishte 227.48 euro për avion ndërkohë që tashmë për vitin aktual ajo ka shkuar në 235.67 euro. Në njoftim thuhet se për pagesat e vonuara do të aplikohet edhe interes i cili për këtë vit është 9.67 për qind. I njëjti njoftim bën me dije se tashmë këto tarifa janë të publikuara edhe në Shqipëri.

Çfarë është tarifa e terminalit

Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit. Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit.

Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodorom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy element thelbësore. Së pari peshën e avionit që niset dhe së dyti njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike.

Aeroporti i Rinasit, shitja tek Kastrati

Shqipëria ka aktualisht në funksion vetëm Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ndërkohë që në proces ndërtimi është edhe ai i Kukësit përmes procedurës së koncesionit. Vlora nga ana tjetër është në fazë prokurimi. Duke pasur parasysh këtë, i vetmi aeroport që mund të arkëtoje aktualisht tarifa është ai i Rinasit. Së fundmi ky aeroport u bë pjesë e një transaksioni duke i kaluar një grupi vendas. Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” u nënshkrua 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor. Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë gjithsej 71 milionë euro përmes dy pagesave. Sipas referimit në kontratë: Shpërblimi për aksionet sipas kësaj marrëveshjeje dhe akti i transferimit do të jetë një shumë në para e barabarte me shumën e: -15,000,000 EUR (“Pagesa Fillestare”); plus -56,000,000 EUR plus një shumë e barabartë me Rregullimin e Bilancit të Parasë (“Shuma e Mbylljes”). “Tirana International Airport” deri në vitin 2019 ishte një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte deri në gati 50%. Në 2019-n, kompania raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, pothuajse i njëjtë me vitin e mëparshëm, duke u renditur e treta më e madhe në vend sa u përket fitimeve, pas BKT dhe Raiffeisen. Norma e fitimit ra në 45%, nga 49% vitin e mëparshëm, për shkak të rritjes më të ngadaltë të të ardhurave në raport me shpenzimet. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh prej 3.1 milionë.Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *