Sherr me thika në një lokal në Ishëm të Durrësit, plagosen 3 persona

3 persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri me thika. Ngjarja ndodhi në Ishëm të Durrësit. Burime zyrtare bënë me dije se ngjarja ndodhi në një lokal, ndërsa në pranga u vunë 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Mes të arrestuarve mësohet se është dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, i cili edhe është ndëshkuar me gjobë pasi nuk respektoi orarin për mbylljen e aktivitetit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasit:

A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç, ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *