Shërbimet e Policisë, për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin, vijojnë të jenë në gadishmëri.

Policia e Shtetit

Shërbimet e Policisë, për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin, vijojnë të jenë në gadishmëri.

Të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore janë prezente në të gjitha rrugët urbane e interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me qendrat e bashkive.

Krahas shërbimeve të Policisë Rrugore, në të gjithë territorin janë angazhuar për t’iu ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës dhe qytetarëve në nevojë, Patrullat e Përgjithshme, forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja, duke bashkëpunuar me Emergjencat Civile.

Inspektorët e Policisë në zona ndodhen në Njësitë Administrative dhe në zonat ku ka më shumë rrezik nga përmbytjet, duke koordinuar veprimet dhe shkëmbyer informacion të pandërprerë me kryetarët e fshatrave, administratorët e Njësive Administrative dhe me Emergjencat Civile.

Në vijim të njoftimeve me udhëzimet përkatëse, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të treguar kujdes maksimal në rast të prezencës së ujit në rrugë apo pamjes së kufizuar për shkak të mjegullës.

Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes maksimal, pasi në disa akse rrugore urbane dhe rurale ka problematika për shkak të motit të keq.

Për këtë arsye duhet të jenë të përqendruar gjatë qarkullimit me mjet dhe të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve shtetërore dhe sinjalistikën kufizuese.

Drejtuesit e automjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskat mbrojtëse dhe gjatë qarkullimit në rrugë të mos kryejnë lëvizje nga njëri krah i korsisë në krahun tjetër për të fituar kohë, pasi bëhen burim aksidenti, ndërsa biçiklistët të ndriçojnë me sinjale dalluese biçikletat.

Në rast nevoje apo për të denoncuar çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, telefononi në numrin 112 ose dërgoni imazhe në Komisariatin Dixhital.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *