SGS nuk do bëjë më kolaudimin, Rama jep lajmin e mirë: Mjetet e reja 3 vite pa kontroll teknik, të përdorurat do e bëjnë 1 herë në 2 vite (E PLOTË)

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme e ka nisur me një lajm të mirë që lidhet me kontrollin teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), i cili tashmë do të kryhet në shtet.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Rama bën me dije se nga janari i 2021 do të ketë disa risi që do të jenë lehtësuese për drejtuesit e automjeteve.
Ndër të tjera ai shkruan se mjetet me (0 km) 3 vitet e para nuk do kalojnë në Kolaudim, mjetet e përdorura nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet, ndërsa mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit.
Postimi i plotë nga Edi Rama:
MIRËMËNGJES
ME NJË LAJM TË MIRË
Me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim sikundër e kemi premtuar do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga #DPSHTRR dhe nga janari 2021 do të ketë këto risi që do të lehtësojnë drejtuesit e 630 mijë automjeteve:
- Mjetet e reja (0 km) 3 vitet e para nuk do kalojnë në Kolaudim
- Mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet
- Mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit!
- Tarifat aktuale nuk do të rriten, megjithëse afati i vlefshmërisë zgjatet
- Rradha famëkeqe e stresit dhe humbjes së kohës “tek Kolaudimi” do marrë fund
- Cilësia e shërbimit do të rritet, përafrimi me Direktivat e BE në fuqi do të përshpejtohet, modernizimi e informatizimi i këtij shërbimi do të jetë prioritet, sikundër është bërë në punën e deritanishme të #DPSHTRR
***fotot nuk janë 3D por realiteti i institucionit të sapo rilindur të #DPSHTRR Fier?