PS zgjedh grupin me 58 emra të rinj, Rama: Një pjesë do jenë në listën e 25 prillit, shfrytëzoni në maksimum…

Partia Socialiste ka përzgjedhur 58 emra për fazën e dytë të procesit “Deputeti që duam”. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se një pjesë e këtyre 58 emrave do të jenë në listën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se “Kjo është faza e konsolidimit të këtij grupi të ri dhe janë 58 emra, që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten, kanë prezantuar më mirë ‘pse-në’ e kësaj nisme individuale, si dhe fuqinë e ambicies së tyre”.

Më tej, kryeministri Rama deklaroi se “Në mandatin tonë të tretë ne do të kemi prioritet përfshirjen e sa më shumë të rinjve në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhënien e sa më shumë përgjegjësi atyre, kështu që forca”.

Fjala e Ramës:
Politika nuk ka munguar asnjëherë, qoftë në këto vite, qoftë më parë, të japë shembuj të këqij, mësime të gabuara, modele të deformuara të të jetuarit në mjedisin shoqëror, por nga ana tjetër, politika nuk ka munguar edhe të tregojë se pa ndryshuar politikën, asgjë tjetër nuk ndryshon dot në hapësirën tonë të përbashkët. Të tregojë se në fund të fundit, përtej atyre që thuhen, politika është një forcë për mirë dhe ka lindur për të bërë së bashku gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Më vjen mirë që ky program, kjo nismë e PS, që materializohet për herë të parë në historinë e re të PS, ka gjetur mbështetje për faktin se rreth 1600 vajza e djem, gra e burra, kanë hedhur hapin që të shprehin interesin e tyre në mënyrë të guximshme, dhe më vjen mirë që në gjithë këtë masë jo të vogël individësh ambiciozë, nuk ka qenë e lehtë nga ana e grupit të koordinuar nga Sekretari i Përgjithshëm për të filtruar ata që janë sot këtu për fazën e dytë.

Kjo është faza e konsolidimit të këtij grupi të ri dhe janë 58 emra, që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten, kanë prezantuar më mirë ‘pse-në’ e kësaj nisme individuale, si dhe fuqinë e ambicies së tyre. Kjo nuk do të thotë se ata që nuk janë përfshirë në këtë listë janë më pak të talentuar apo më pak të prerë për t’u përfshirë në këtë aktivitet kaq kompleks, siç është përfaqësimi politik, ashtu sic nuk do të thotë se ata që janë përzgjedhur kanë arritur ta shpalosin më mirë veten në ato pak minuta që kanë pasur. Për këtë arsye, unë inkurajoj ata që nuk kanë kaluar fazën e dytë që të mos tërhiqen, të mos dorëzohen, por të kuptojnë se për të shpalosur potencialin e brendshëm duhet punë, përgatitje dhe trajnim.

Dua t’iu them të gjithë atyre që janë sot këtu se trajnimi dhe edukimi i vetvetes është një domosdoshmëri për secilin, gjatë gjithë kohës. Edhe për mua është një domosdoshmëri e përditshme për ta ushqyer veten me informacion, me lexim, me të gjitha format përmes të cilave pasurohet njeriu politik. Në fund të këtij procesi do të përzgjidhen ata që do të jenë pjesë e skuadrës sonë në çdo qark. Për ne do të jetë një kënaqësi, por edhe një privilegj, që të kemi bashkë në këtë betejë një pjesë prej jush, që vini nga të gjitha rrugët e jetës.

Dua t’iu inkurajoj që këtë eksperiencë të re të trajnimit ta shfrytëzoni maksimalisht dhe të përpiqeni të nxirrni më të mirën prej saj, qoftë për të kapërcyer fazën e dytë dhe për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë, qoftë për ta pasur si një tjetër eksperiencë në ndërtimin e asaj figure që i duhet gjithsecilit për t’u kthyer nga një njeri i mirë dhe i ditur në një qytetar të mirë në përfaqësimin politik.

E fundit që dua të them është se të gjithë duhet ta ndjeni veten pjesë e përpjekjes sonë, sepse procesi i zgjerimit nuk është një proces i mbyllur vetëm në kornizën e skuadrës përfaqësuese në Parlament, por është një proces shumë i gjerë. Në mandatin tonë të tretë ne do të kemi prioritet përfshirjen e sa më shumë të rinjve në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhënien e sa më shumë përgjegjësi atyre, kështu që forca. Elementi subjektiv është i pashmangshëm dhe për këtë arsye kush nuk është në formë të japë më të mirën në këtë moment, nuk duhet të ligështohet. Dëshiroj të ndjeheni të gjithë pjesë e këtij suksesi të përbashkët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *