Presidenti Meta bën urimin e fundvitit me vëmendjen tek mjekët: Mirënjohje për mantelbardhët dhe homazh për ata që humbën jetën, të punojmë për të ngritur ekonominë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka bërë urimin e tij për fundvit, duke e përqendruar vëmendjen më shumë tek mjekët që u gjendën përballë një sfide të madhe gjatë këtij viti.

Kreu i Shtetit shprehet optimist se ditë më të mira do të vijnë për vendin tonë, nëse të gjitëh bashkë punojmë për një qëllim.

Fokusi mbeten njerëzit në nevojë, dashuria për familjen dhe Atdheun.

Urimi i Metës

Të dashur bashkëkombës,

Viti që lamë pas, na përballi me një nga sfidat më të vështira për mbarë botën.

Pandemia COVID-19 tronditi jetët tona në shumë aspekte.

Shumë prej nesh humbën më të dashurit, pa mundur edhe t’u japin lamtumirën e fundit; të tjerë ia dolën me sakrifica të jashtëzakonshme.

Mirënjohje të pakufishme për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata, që gjenden edhe sot, në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie.

Në veçanti, ky është çasti për të bërë një homazh për mantelbardhët tanë të paharruar, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës.

Përkushtimi, humanizmi dhe kujtimi i tyre le të na frymëzojë për më shumë solidaritet, bashkëpunim, përulësi, dhembshuri dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Le të bashkohemi dhe të punojmë më shumë, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë më shumë nevojë.

Të përpiqemi me të gjitha forcat të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin.

Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen dhe Atdheun e kanë mbajtur gjallë kombin tonë dhe do t’i japin Shqipërisë sonë të dashur edhe të ardhmen e ndritur europiane që meriton.

Të dashur shqiptarë kudo që ndodheni,

Ju uroj nga zemra, një Vit të Ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të begatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *