Politika mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut: Lajm tronditës dhe i pabesueshëm! Shembull i njeriut kurajoz

Kasem Hysenbelliu, biznesmeni dhe pronari i medias Fax News, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, aty ku prej ditësh kurohej për Covid-19. 

Për lajmin e trishtë ka reaguar pak më parë dhe Presidenti Ilir Meta. “Tronditës dhe të pabesueshëm” e ka cilësuar Meta ikjen në msohën 59 vjeçare të Hysenbelliut. Edhe socialisti Taulant Balla e kreu i PD Lulzim Basha kanë shkruajtur mesazhe ngushëllimi për Hysenbelliun.

Ilir Meta

Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze.

Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe Faxweb.al, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik.

I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar”, shkruan Meta.

Taulant Balla

Lamtumirë miku im i mirë Kasem Hysenbelliu.

Lulzim Basha

Jam i hidhëruar nga lajmi tronditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë, kolegët dhe ekipin e televizionit Fax News.

Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias, themelues dhe president i televizionit Fax News, administrator i gazetës më të madhe në vend “Panorama” dhe i televizionit “News24”.

Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *