Nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe kanosi policinë, efektivi qëllon për vdekje me armë 25-vjeçarin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit sot në Tiranë, ku një i riu është qëlluar me armë zjarri për vdekje nga policia. 

Ngjarja ndodhi në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:45. Burime zyrtare nga policia sqarojnë se 25-vjeçari me inicialet K.R., nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar madje është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur me pistoletën e shërbimit. I riu humbi jetën në spital. 

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 01:45 të mesnatës  shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të tyre. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë, përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap, duke hedhur në drejtim të tij një send të fortë, në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë, punonjësi i policisë e ka qëlluar me armë zjarri.  Për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital. Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia. Prokurori ndodhet në vendngjarje duke ndjekur e monitoruar të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme , Ankesat në MB dhe  Policia.

Punonjësi i policisë N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore. Ende vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *