Ndërtimi i spitalit të Fierit, Rama sqaron si do të drejtohet: Shefat e pavioneve do jenë turq, çfarë pozicionesh zënë shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar si do të ndahen rolet me turqve dhe shqiptarëve në spitalin rajonal të Fierit, i cili pritet të përfundojë ndërtimin brenda tre muajsh. Rama tha se shefat e pavioneve do jenë turq, ndërsa shqiptarët do të jenë mjekë dhe infermierë.

“Shefat e pavionëve do të jenë turq, mjekët dhe infermierët do të jenë shqiptarë. Në drejtim do të jetë një ekspert turk me staf shqiptar që do ti mësojë për të marrë drejtimin e spitalit”, tha kryeministri në ‘Open’.

Ndërtimi i spitalit rajonal të Fierit nga pala turke ishte marrëveshja mes Ramës dhe Erdogan gjatë vizitës në Turqi.

Para pak ditësh, kryeministri priti ekipin turk dhe zbuloi se do të angazhohen në pikun e punës 1200 punëtorë të cilët, sipas përfaqësuesit turk do të punojnë me 3 turne për 7 ditët e javës. Zëvendës presidenti i shoqatës së ndërtuesve të Turqisë deklaroi se kostoja e spitalit të ri të Fierit të jetë 60-70 milionë euro, ndërsa pritet që nga 1000-1200 punëtorë që do të angazhohen në kantier, 20-30% do të jenë shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *