Moti i keq/ përmbyten dhjetëra ha tokë, shembje dhe çarje rrugësh. Hapen digat, 20 familje ne alarm

I gjithë vendi ynë është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura dhe temperatura të ulta, ndërsa pas 48 orëve situata vjen duke u përkeqësuar.Niveli i ujit në disa zona ka arritur në disa centimetra duke dëmtuar banesa dhe përmbytur toka bujqësore.

Në Fushë Gjormë të Kurbinit rreth 20 familje kanë dhënë sinjalin SOS pasi uji ka rrethuar banesat e tyre. Sipas raportimeve pritet ndërhyrja e ushtrisë për ti evakuuar ndërsa deri më tani është evakuuar vetëm familja e Baftjar Reçit, banesa e të cilës është përmbytur krejtësisht.

Probleme me rrugët ka pasur në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Kukës, Vlorë ku pamje shqetësuese vijnë nga rruga në hyrje të fshatit Borsh e cila ka pësuar çarje në të gjithë gjatësinë e saj. ARRSH ka paralajmëruar shoferët të mos e përdorin këtë aks:

“Në aksin Q. Llogarasë-Sarandë, në lagjen Vonja të Borshit, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të ditëve të fundit, ka ndodhur një rrëshqitje, e cila ka dëmtuar trupin e rrugës. Kompanitë e mirëmbajtjes dhe specialistët e ARRSH-së janë në vend për të vlerësuar situatën duke bërë në të njëjtën kohë edhe menaxhimin e trafikut vetëm në një kalim. Lajmërohen të gjithë drejtuesit e automjeteve që të evitojnë kalimin në këtë aks, si dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve të rënda në këtë aks.”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *