Mori ryshfet, pezullohet nga detyra mjeku i njohur e pëson dhe një infermiere

Është pezulluar nga detyra nën akuzën e korrupsionit pasiv mjeku i njohur Edvin Prifti dhe infermierja Trendafile Frangu, të dy punonjës në QSUT, në shërbimin e kardiologjisë.
Mësohet se emri i Priftit ka dalë në dritë gjatë hetimeve për rastin e lirimit të një të dënuari me 25 vite nga burgu i Fushë Krujës, për të cilën u arrestuan 10 persona, mes tyre dhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Teksa sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi ishte nën përgjim për lirimin e Saimir Petanit, ajo ka komunikuar me mjekun Prifti dhe i ka dhënë atij para për një operacion jashtë radhe që ai do ti kryente nënës së saj në QSUT.
Kjo ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim të veçantë dhe për Priftin dhe në përfundim të hetimeve, ndaj tij të vendoset masa e pezullimit nga detyra.
“Edvin Prifti, mjek kardiolog në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, i jepet masa e sigurimit ‘pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik’, i dyshuar për veprën penale “korrupsioni pasiv i persinave që ushtrojnë funksione publike”,thuhet zyrtarisht në dosjen e SPAK, raporton Faxweb.
Prifti për një periudhë të gjatë kohe ka mbajtur pozicionin e shefit të shërbimit të Kardiologjisë në QSUT.