Morën plagë të rënda nga shpërthimi i bombulës në Ferizaj, një pjesë e të plagosurve pritet të nisen drejt Turqisë për mjekim më të specializuar

Ferizaj 

Disa prej personave të lënduar nga shpërthimi i bombulës së gazit në Ferizaj do të shkojnë për trajtim më të specializuar në Turqi.  

Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili thekson se ata që janë në gjendje më t ërëndë si pasojë e djegieve do udhëtojnë drejt këtij destinacioni. 

Ai tha se vala e shpërthimit ka lënduar dhjetëra qytetarë, ndërsa falënderoi stafin shëndetësor, komunat fqinje, policinë e zjarrëfikësit për gatishmërinë për të dhënë ndihmën e tyre.

“Po bëjmë përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojmë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, sipas rekomandimeve të mjekëve, pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë”,

“Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre. I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve e infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi e qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë. Qoftë i shpejtë shërimi i të lënduarve”, shkruan Aliu.

Nga shpërthimi i bombulës së gazit në një prej restoranteve të qytetit të Ferizaj mbeten të plagosur mbi 42 persona dhe fatmirësisht nuk kishte viktima.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *