KPK jep vendimin për gjykatësen e Fierit

Është konfirmuar në detyrë Arta Duka, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila është dhë kandidate për gjykatat e juridiksionit të apelit. Kjo është çështja e parë për të cilën është dhënë një vendim nga KPK në këtë vit të ri.

Duka, e cila punon aktualisht si e komanduar në Gjykatën e Apelit të Korçës mori vlerësime pozitive për të tre kriteret e rivlerësimit në seancën dëgjimore të zhvilluar të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Arta Duka ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe është emëruar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2011, Duka është transferuar në gjykatën e Fierit, ku e ka kryer këtë funksion për afro një dekadë. Së fundmi, ajo ka aplikuar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtare e Apelit, ndërsa punon aktualisht si e komanduar pranë Apelit Korçë.

Kryesuesja Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës se rivlerësimi i gjyqtares Duka është kryer me përparësi për shkak të aplikimit të saj për një pozicion në Apel dhe shtoi se hetimi administrativ është përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit.

Komisioni konstaton se gjyqtarja Arta Duka ka deklaruar saktë pjesën e saj takuese 1/6 në pasurinë tokë bujqësore-plus truall me sipërfaqe totale 23 mijë e 433 m2 të përfituar prej Ligjit “Për Tokën” nga familja e origjinës në cilësinë e familjes bujqësore.

Relatori Hamitaj tha se ajo kishte deklaruar saktë blerjen e një autoveture tip “Audi” në vitin 2016 kundrejt shumës 330 mijë lekë dhe se kishte pasur burime të ligjshme për shlyerjen e pagesës.

Gjithashtu është konstatuar se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e një gjendje cash në shumën 250 mijë lekë dhe për krijimin e llogarive bankare. Prej hetimit administrativ ka rezultuar se gjyqtarja Duka ka deklaruar saktë edhe disponimin e një apartamenti në qytetin e Fierit, në cilësinë e qiramarrëses.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar se subjekti dhe personat e lidhur me të kanë pasur burime të mjaftueshme financiare të ligjshme për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve. Gjyqtarja Duka u vlerësua pozitivisht edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Në seancë u tha se subjekti shfaqte aftësi shumë të mira në zbatimin dhe intepretimin e ligjit dhe se është efiçente në punë.

Hamitaj tha se një ankesë e kryer ndaj gjyqtares pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte rrëzuar si e pabazuar. Gjithashtu, Komisioni nuk ka gjetur indicie apo probleme në 4 denoncimet e kryera nga publiku. Anëtarët e trupës gjykuese dhe vëzhguesja ndërkombëtare nuk drejtuan pyetje ndaj Dukës gjatë seancës dëgjimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *