Erdhën nga Britania ku është shfaqur varianti i ri i COVID dhe shkelën karantinën 14 ditore, 6 të gjobitur me nga 700 mijë lekë

TIRANË– Prej periudhës 1-6 janar, 6 qytetarë të papërgjegjshëm, nuk kanë respektuar karantinimin 14 ditor, edhe pse po vinin nga Britania e Madhe, për pasojë janë ndëshkuar. Ato janë gjobitur me gjobë 700 mijë lekë secili, pasi janë konstatuar nga uniformat blu në rrugë. Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se qytetarët erdhën nga Britania e Madhe dhe nisur nga fakti se atje është shfaqur një version i ri i covidit, u është njoftuar venbdimi për t’u karantinuar, por këta qytetarë nuk e kanë respektuar.

Emrat e tyre dhe të të gjithëve që vijnë nga “vendet e ndaluara”, janë të regjistruar në një regjistër të shërbimeve të Policisë Kufitare për t’i njoftuar më pas Komisariatet të cilët bëjnë kontrollet në terren për zbatimin e karantinës. Policia u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat e marra, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata shtetas që kanë hyrë në Shqipëri gjatë javës së fundit të dhjetorit 2020, nga Britania e Madhe, nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo ajrore, të mos tentojnë të shkelin vetëkarantinimin e detyrueshëm, pasi do ndëshkohen me masë administrative sipas Aktit Normativ dhe nuk do lejohen të lëvizin në drejtim të destinacionit të tyre pa kryer vetëkarantinimin e detyrueshëm”, njofton Policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *